Adriatik Balla 14.05.2015 15:25
Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi po kalon një moment të shkëlqyer me skuadrën e tij Hapoelit të Haifas në kampionatin izraelit, ku ka shënuar brenda dy javëve katër gola shumë të rëndësishëm me aromë fitoreje dhe pikësh që e mbajnë këtë skuadër me shpresën e mbijetesës.
Në të vërtetë, Hapoelit të Haifas i duhen edhe disa fitore të tjera për të mundësuar qëndrimin në kategorinë e më të mirëve të futbollit izraelit, por shtypi sportiv vendas këmbëngul se me këtë paraqitje që po bën shkodrani me siguri që do të arrihet edhe objektivi.
Vetë zyrtarët e klubit dhe stafi teknik kanë thënë fjalët më të mira për golashënuesin kuqezi tonë kuqezi, paraqitja e të cilit është vlerësuar dhe uruar edhe nga trajneri i Kombëtares Xhovani De Biazi. Ky i fundit me siguri që do ta ketë në planet e tij për ndeshjen e 13 qershorit ndaj Francës.
Ndonëse në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Evropianit 2016, ky është në fakt një takim miqësor që do të luhet në stadiumin kombëtar “Elbasan Arena”. Salihi nuk është aktivizuar rregullisht me përfaqësuesen në ndeshjet e këtij sezoni, por për De Biazin ai vijon të jetë një element i rëndësishëm dhe i duhur për ekipin, duke i bërë ftesë në çdo rast.