AlbanianSport.com 13.08.2015 17:10
ASNN – Në pritje të ekipit të ri, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, është duke u stërvitur me Skënderbeun. Për mbrojtësin e Kombëtares po interesohen disa ekipe, dhe, ndonëse nuk ka patur kontakte, mësohet se Hamburgu dhe Panathinaikosi përmenden si alternativa.
Gjermania është një kampionat i ri për Lilën, ndërsa në Greqi 29-vjeçari ka luajtur me Pas Janinën ku ishte shok ekipi me Emiljano Vilën. Andi Lila u aktivizua pjesën e dytë të sezonit të kaluar me Parmën duke bërë një paraqitje befasuese. Ai arriti të shënonte 2 gola në Serinë A.
Njëri prej tyre që bëri dhe bujë në mediat italiane dhe ato shqiptare, ishte ai në “San Siro” ndaj Interit. Ndërkohë, aktualisht Lila nuk ka një ekip, gjë që e frikëson edhe për pjesëmarrjen në ndeshjet e Kombëtares në shtator, ndaj Danimarkës dhe Portugalisë, pasi duhet të luajë me një ekip për të qenë në formë të mirë fizike.