AlbanianSport.com 15/12/2018 14:45
ASNN – Mediat sportive greke e kanë kaluar cakun e profesionalizmit dhe janë futur në fushën e psikologjisë, e konkretisht në rrymën e paranojës, pasi në shkrimet e tyre kanë akuzuar mbrojtësin shqiptar Mërgim Mavraj se është tersi i skuadrës së Arisit të Selanikut. Për ironi, mbiemri i Mavrajt tingëllon keq në gjuhën greke (nga greqishtja, mavros = i zi).
Dhe duket se për mediat greke është dhe “ky tingëllim” diçka tersndjellëse për klubin e njohur të Selanikut. Duke anashkaluar bestytnitë, që nuk janë gjë tjetër veçse një qëndrim joprofesional, duket se mediat helene kanë kapur, sidoqoftë, një detaj statistikor interesant. Në 5 ndeshje si titullar së fundmi, me Mavrajn në fushë, Arisi nuk ka fituar asnjë takim.
Ka 4 humbje e një barazim, por jo fitore. Natyrisht, nëse Arisi nuk po ecën mirë në kampionatin helen, kjo nuk është vetëm për faj të mbrojtësit të Kombëtares kuqezi, por medit greke shkruajnë se me Mavrajn në fushë skuadra e Selanikut ka pësuar 12 gola në pesë ndeshje, ndërsa në tetë takime që Mavrj nuk ka qenë në fushë, Aris ka pësuar vetëm 4 gola.
E thënë ndryshe, Mavraj, sipas mediave greke, nuk po i sjell “fat” skuadrës, përkundrazi, duket të jetë “tersi” i Arisit të Selanikut. Gjithmonë sipas mediave helene, Aris duhet të bëjë analizën e blerjes së tij të bujshme në merkaton e verës, pasi statistikat nuk e nxjerrin blerje të goditur, por tersndjellëse.