AlbanianSport.com 06/08/2018 17:40
ASNN – Më mirë se kaq nuk mund të kisht nisur ky sezon i ri në nivelin më të lartë të Kampionatit Belg të Futbollit, që njihet si Jupiler Ligë, për Sindrit Gurit, që ka gjetur të dielën golin e parë me Ëstenden. Këtë e bën në momentin më të mirë, kur skuadra e tij luajti përballë Anderlehtit, ekipi që është superfuqia e kampionatit në Belgjikë, por edhe me trajnerin Kristian Panuçi të pranishëm në tribunë.
Sulmuesi shkodran, i cili kishte luajtur gjatë gjithë fitores 2-1 në javën e parë ndaj Rojal Eksel Muskronit, duke dhënë pasimin e fundit për golin e parë, ka qenë sërish titullar në ndeshjen e javës së dytë dhe madje realizoi në minutën e 58-të të takimit, duke shkurtuar përkohësisht rezultatin në 2-1, me klubin mbretëror që kishte realizuar më parë me Santinin dhe Dimatanë.
Gjithsesi, ky gol nuk arriti dot t’i shërbejë Ëstendes për t’u rikthyer në lojë. Anderlehti realizoi edhe tre gola të tjerë, dy herë me Santinin që firmosi 3-golëshin e tij personal dhe në sekondat e fundit me Dimatanë. Për Ëstenden, Miloviçi shënoi golin e dytë në kohën shtesë, por që shërbeu vetëm për statistikë. Pavarsisht rezultatit të skuadrës, për Gurin ka shumë rëndësi kjo paraqitje në ndeshjen e javës së dytë të Jupiler Ligës belge.
Pasimi për gol i ndeshjes së parë, tashmë u shoqërua me një gol të vetin, me 24-vjeçarin që tregoi se do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Goli shërbeu edhe si një mesazh për Kristian Panuçin që e ndoqi nga tribuna, me trajnerin kuqezi që udhëtoi drejt Bukselit për të takuar Kristal Abazajn dhe Sindrit Gurin. Nëse me Abazajn trajneri u takua, për të mësuar gjendjen fizike të talentit, për shkak të së cilës ai ende nuk ka arritur të debutojë me Anderlehtin, në rastin e sulmuesit, trajneri i Shqipërisë u bind për rritjen dhe formën e mirë të Gurit.