AlbanianSport.com 27/02/2019 22:05
ASNN – Fiorin Durmishaj shkëlqen me gol për Panioniosin, por eliminohet nga Kupa e Greqisë. Fiorin Durmishaj po shkëlqen me ekipin e tij këtë sezon me Panionios, në Superligën e Greqisë, ku vetëm gjatë vitit 2019 ka shënuar 4 gola dhe praktikisht është sulmuesi më i mirë i përfaqësueses kuqezi në këto momente. Lojë të mirë, gola dhe pasime ideale, si dhe një rol lideri tek Panioniosi, një rol që mediat sportive helene e quajnë përcaktues për shqiptarin tek kjo skuadër.
Të mërkurën në mbrëmje Durmishaj e la gjurmën e tij në “play-off”-in e Kupës së Greqisë, duke shënuar sërish gol për Panioniosin, por skuadra e tij humbi pas 120 minutash dramatike me PAOK-un e Selanikut. Panioniosi kishte fituar ndeshjen e parë 2-1 dhe sot u luajt takimi i kthimit. PAOK-u fitoi 2-1 dhe ndeshja shkoi në shtesë. Skuadra e Durmishajt barazoi 2-2, por Paoku shënoi dy gola në minutat e fundit dhe e përmbysi ndeshjen, duke u kualifikuar më tej në Kupë.
Durmishaj nuk pati fat dhe eliminohet. Golin e tij shqiptari e shënoi në minutën e 34-t, duke barazuar përkohësisht shifrat në 1-1, një gol që e mbajti ekipin në lojë gjatë gjithë kohës, por në fund nuk ia doli. Në këtë ndeshje Durmishaj u ndëshkuar dhe me karton të verdhë në fillim të pjesës së parë. Edhe pse u eliminua, ai mori notë të lartë për paraqitjen. Nga ana tjetër, mediat greke shkruajnë se atij i ka mbërritur ftesa nga përfaqësuesja e Shqipërisë.
Sepse trajneri Kristian Panuçi e dëshiron në grupin e tij për ndeshjen e parë eliminatore të Kampionatit Evropian, atë ndaj Turqisë, që zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës më 22 mars. Është një ftesë plotësisht e merituar për Durmishajn.