AlbanianSport.com 31/01/2019 19:55
ASNN – Berat Gjimshiti vlerësohet në mediat italiane si mbrojtësi që ndali Kristiano Ronaldon në çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku Atalanta mposhti Juventusin me rezultatin 3-0. Ishte një fitore e madhe e Atalantës, ku në fushë shkëlqyen dy shqiptarë, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti. Ronaldo nuk u pa në fushë dhe kjo sipas mediave italiane ishte për meritë të mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë që e mbuloi mjaft mirë atë.
“Jam shumë i kënaqur, – thotë Gjimshiti për mediat italiane pas fitores kundër Juventusit, – edhe pse kurrë nuk i tregoj emocionet. Zhvilluam një ndeshje të madhe kundër skuadrës më të fortë të Italisë. Kemi mësuar nga gabimet e kryera ndaj Romës dhe u munduam të jepnim maksimumin. Arritëm të fitonim të gjithë bashkë dhe jemi shumë të lumtur.” Më tej Gjimshiti analizon se si e ka fituar besimin e trajnerit Gasperini dhe po ia shpërblen trajnerit në fushë me lojëra të mira dhe frytdhënëse.
Prandaj Atalanta po ecën mjaft mirë. “Kampionati nuk nisi mirë për mua, por tani jam shumë i lumtur dhe po më japin besim. Do të bëj gjithçka për t’ia shpërblyer trajnerit”, vijoi më tej Gjimshiti, dukshëm i entuziazmuar nga fitorja dhe nga paraqitja mjaft e mirë që bëri në këtë duel. Tashmë, falë paraqitjeve të mira të tij dhe shokut të vet shqiptar, Etrit Berisha, Atalanta ndodhet në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, pse jo, për të synuar edhe vetë trofeun.