AlbanianSport.com 08/03/2021 13:25
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe Atalantës, Berat Gjimshiti është vlerësuar si lojtari më i mirë në radhët e ekipit të Bergamos sipas faqes së specializuar për statistikat, “SofaScore”, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e të hënës kundër Interit.
Shqiptari ka bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke bllokuar disa herë sulmuesin e Interit, Romelu Lukakun e duke i hequr mundësinë e shënimit të golit. Gjimshiti u hodh në fushë si titullar nga trajneri i ekipit të Atalantës, Xhan Piero Gasperini, duke u zëvendësuar në minutën e 81-të.
Edhe pse skuadra e futbollistit të Kombëtares nuk ia doli të fitonte, vlen të theksohet se paraqitja e Gjimshitit ishte e shkëlqyer, duke u vlerësuar kësisoj nga “SofaScore” si lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes, pas Milan Shkrinjarit, i cili realizoi edhe golin e fitores për zikaltërit vendas.
Vlen të theksohet fakti se mbrojtësi shqiptar ka bërë vazhdimisht paraqitje shumë të mira me klubin italian këtë sezon, duke shfaqur një qëndrueshmëri për t’u admiruar në fushë e duke marrë thuajse çdo ndeshje vlerësimet maksimale nga ekspertët e futbollit.