AlbanianSport.com 29/01/2021 23:55
ASNN – Zgjidh kontratën me Menemensporin, drejt kalimit tek Bolyspori në Ligën e Parë turke. Gentian Selmani, ish-portieri i Shpresave dhe një nga portierët e Kombëtares kuqezi ka zyrtarizuar ndarjen me Menemensporin pas një aventure prej një sezoni e gjysmë në klubin që militon në nivelin e dytë të futbollit turk. Situata financiare e shkaktuar prej epidemisë së virusit korona e ka goditur rëndë klubin e portierit shqiptar.
Prandaj i duhet të shesë e të çlirohet nga pagat e larta për të barazuar bilancet. Kontrata e Gentian Selmanit përfundon në verë, por largimi ka ardhur tani. Ndërkohë, gardiani shqiptar i portës pritet të zyrtarizohet te skuadra e Bolysporit. Pasi spikati në Kategorinë Superiore në Shqipëri me Laçin, para 18 muajsh ai u transferua në Turqi dhe u aktivizua me Menemenspor. Paraqitjet e Selmanit ishin të mira dhe ofertat nuk i kanë munguar.
Së fundmi në klubin e tij ka pasur probleme të shumta financiare dhe kështu portieri dhe Menemenspor kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të ndërprerë kontratën. “Ne kemi ndarë rrugët me Gentian Selmanin, një prej futbollistë tanë profesionistë, – shkruan klubi i Menemensporit në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale”, duke shtuar: “Ne e falënderojmë atë për kontributin e tij në skuadrën tonë dhe i urojmë suksese atij në karrierë.”
Nga Turqia raportojnë se Selmani ka arritur marrëveshje me Bolyspor dhe do të zyrtarizohet këtë fundjavë ne klubin e Ligës së Parë turke. Nuk ka detaje rreth shifrës së operacionit, teksa ka edhe raportime, që flasin se klubi mund ta lërë të lirë Selmanin, duke e humbur falas. Mbetet të qartësohet kjo situatë, teksa edhe këtë herë Selmani nuk mundi të bëjë hapin e madh të debutimit në Superligën turke.