AlbanianSport.com 02.02.2016 08:45
ASNN – Duke folur në prezantimin e tij me klubin e ri të kampionatit amerikan të futbollit (MLS), sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi ka thënë se është shumë i lumtur që ka nënshkruar me Kolorado Rapids dhe se kjo përtej Atlantikut është një sfidë e re për të.
Ai po ashtu falënderoi edhe skuadrat e tij të mëparshme, FC Zyrihin, Gras’hopersin dhe Bazelin. “Falënderoj të gjitha ish-skuadrat e mia, pasi ato më kanë ndihmuar shumë, – ka deklaruar 27-vjeçari. – Jam krenar që jam këtu, pasi ky është një hap tjetër në karrierën time, një sfidë e re.”
“Ju faleminderit të gjithëve”, – përfundoi Gashi gjatë një interviste për faqen zyrtare të Kolorado Rapids. Sikurse në Basel dhe te Kombëtarja shqiptare, Gashi, i cili firmosi një kontratë 4-vjeçare me klubin amerikan, do të mbajë edhe tek Kolorado Rapids fanellën me numër 11.
Sulmuesi i Kombëtares i kaloi kontrollet mjekësore, duke vendosur të vijojë karrierën larg kontinentit të vjetër, por duke synuar Evropianin e verës. Kampionati amerikan është aventura e dytë për Gashin, që deri më tani ka milituar vetëm në atë zviceran. Qëndrimi i tij te Bazeli u vështirësua për shkak të mosaktivizimit të tij nga trajneri i ri.
Shkëlzen Gashi kthehet në fubollistin e dytë të Kombëtares që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas Hamdi Salihit që në të kaluarën veshi fanellën e DC Junajtid. Në ligën amerikane të futbollit (MLS), vitet e fundit janë transferuar disa nga futbollistët më të njohur botërorë, si Andrea Pirlo, Dejvid Bekham, Tierri Honri, Frenk Lampard apo Stiven Xherrard.