AlbanianSport.com 09.12.2014 11:45
ASNN – Nëntori ka qenë pa dyshim muaji i Shkëlzen Gashit, pasi lojtari i Kombëtares shqiptare ka shënuar 7 gola në total, nga të cilët 6 në kampionatin zviceran dhe 1 në Ligën e Kampioneve me skuadrën e Bazelit.
Në kampionat, Gashi ka shënuar në ndeshjet Zyrih-Bazel 1-2 (dygolësh), Bazel-Arau 3-0 (dygolësh), Vaduz-Bazel 0-4 dhe Bazel-Gras’hopers 2-0. Ndërsa në Ligën e Kampioneve, ai shënoi në fitoren 4-0 ndaj bullgarëve të Ludogorets Razgradit.
Kësisoj, nuk kishte sesi të mungonte ky lojtar në listën për çmimin “Lojtari i Muajit” në Zvicër. Pas javës së fundit për këtë vit të luajtur fundjavën e shkuar (kampionati zviceran rikthehet tanimë më 7 shkurt 2015), e përditshmja “Blick” ka publikuar edhe pesë futbollistët që do të garojnë për çmimin e muajit nëntor.
Për momentin, Shkëlzen Gashi ka marrë gati 32% të votave. Ai konkurrohet nga shoku i skuadrës, Bril Embolo (Bazel) me 25,7% dhe Frenk Etoundi (Zyrih) 19,3%. Në fund të kësaj pesëshe janë Gijom Hoarau (Jang Bojs) me 15,0% dhe Munas Dabur (Gras’hopers) me 8,1% të votave.