ASNN – Paraqitje pozitive të legjionarëve nëpër botë, 6 gola të shënuar nga futbollistët kuqezi. Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të legjionarëve të Kombëtares shqiptare. Odise Roshi po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk. Mesfushori kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në sfidën midis Sakarjasporit ndaj Bandirmasporit. Goli i Roshit në minutën e 68-të ishte vendimtar pasi sfida përfundoi 1-0 dhe Sakarjasporit mori 3 pikë shumë të rëndësishme.
Te goli u rikthye edhe Armando Sadiku. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol shumë të bukur në barazimin 2-2 të Mohun Baganit ndaj Ist Bengalit. Sadiku e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17-të të pjesës së parë. Një formë të shkëlqyer po kalon edhe Kristian Shpendi. Sulmuesi i Shpresave vendosi fitoren e radhës të Çezenës në kampionat ndaj Fermanës. Sfida u mbyll me rezultatin 1-0 dhe Shpendi gjeti golin e 14-të në nivelin e 3-të të kampionatit italian të futbollit, Serinë C.
Edhe pse në ndeshje miqësore edhe Taulant Seferi, Ernest Muçi dhe Mario Mitaj gjetën rrugën e rrjetës me skuadrat e tyre. Pas formës së mirë që po tregonte në kampionat në Emiratet e Bashkuara Arabe me skuadrën e Bani Jasit, sulmuesi i Kombëtares vijon të jetë vendimtar me golat e tij edhe në miqësore. Taulant Seferi gjeti sërish rrugën e rrjetës në sfidën Bani Jas-Al-Tau’un. Edhe Ernest Muçi është gati për nisjen e pjesës së dytë të sezonit me Legian e Varshavës.
Sulmuesi kuqezi e nisi si titullar ndeshjen miqësore ndaj Rzezovit dhe shënoi golin e parë të takimit në fitoren 3-1. Kurse Mario Mitaj gjeti rrugën e rrjetës me Lokomotivin e Moskës në ndeshjen miqësore ndaj Kairatit të Almatisë. Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar takimin dhe realizoi golin e dytë në fitoren 4-1. Armando Broja bëri debutimin e tij me skuadrën e re, Fulhamin. Sulmuesi kuqezi u transferua në minutat e fundit të merkatos nga Çelsi tek Fulhami në formë huazimi dhe debutoi në sfidën ndaj Bërnlit.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Adrian Ismajli, Nedim Bajrami dhe Rei Manaj, ndërsa Keidi Bare, Myrto Uzuni, Arbnor Muja dhe Sokol Cikalleshi dhanë kontributin e tij si zëvendësues.