AlbanianSport.com 28/02/2022 18:40
ASNN – Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të legjionarëve të Kombëtares shqiptare të cilët janë pjesë e kampionateve në Itali, Angli, Spanjë, Hungari, Francë e Kroaci. La Liga spanjolle, një nga kampionatet më të forta në botë foli dje shqip pasi mesfushori i ekipit kuqezi, Keidi Bare realizoi golin e tij të parë në radhët e Espanjolit.
Djaloshi shqiptar ishte futbollisti më i mirë në fushë për skuadrën e tij, teksa luajti përgjatë 90 minutave dhe gjeti rrugën e rrjetës në të 65-n. Sipas faqeve të specializuara, Bare u vlerësua me notën 7.2. Armando Brojës i mungoi finalizimi me Sauthemptonin këtë javë, me sulmuesin kuqezi që edhe këtë javë e nisi si titullar ndaj Noruiç Sitit, teksa luajti për 81 minuta.
Broja ishte një nga futbollistët me notën më të lartë në radhët e Sauthemptonit, 7.5 nga faqet e profilizuara sportive në Internet. Është rikthyer të luajë edhe Qazim Laçi. Futbollisti kuqezi, i cili dallohet për lojën e tij të bukur, ende nuk po gjen vendin e titullarit, por ka luajtur për 25 minuta me Ajaçion në Francë. Ndërkaq, Albi Doka ka debutuar ditën e diel në radhët e ekipit të tij më të ri, Budapest Honved.
Aty ku u transferua në merkaton e dimrit. Doka luajti për 90 minuta në fushë, duke treguar cilësitë e tij. Minuta ka pasur edhe për Lindon Selahin e Jon Mersinaj në Kroaci, Sokol Cikalleshin e Endri Çekicin në Turqi, e shumë kuqezinj të tjerë, të cilët duken se janë në formë për dy ndeshjet e marsit.