AlbanianSport.com 18/12/2018 20:15
ASNN – Hera e parë pas dy vjetësh që Strakosha vihet në “gijotinë”, edhe Frozinoli kundër “gardianit” shqiptar të Lacios. Ish-portieri roman, Xhorxhio Frezolini, nuk është i vetmi që ka nisur një fushatë kritikash ndaj Thomas Strakoshës. Prej ditësh mediat italiane shkruajnë se “gardiani” i Kombëtares së Shqipërisë nuk po paraqitet mirë me Lacion dhe nuk ka pasur një rritje sikurse të gjithë prisnin e shpresonin.
Nuk është vetëm humbja e Lacios me Atalantën që ka sjellë këtë situatë aspak normale për portierin kuqezi, por loja e dobët e skuadrës së tij dhe njëherësh disfatat në ndeshjet e fundit, ose më saktë zhgënjimet në Serinë A italiane, kanë sjellë kritika të shumta për Strakoshën. “Unë nuk shoh rritje te Strakosha, – thotë ish-portieri i skuadrës romane, Frezolini, – vitin e kaluar bëri shumë mirë, ndërsa sivjet ka ndaluar pak.”
“Një portieri i moshës së tij mund dhe duhet të përmirësohet në gjithçka, – ka vijuar ai. -Një djalë i ri nuk mund të ketë arritur maksimumin e tij, ose përndryshe mund të thuash se është një portier mesatar dhe nuk mund të shkojë më shumë se kaq. Konkurrenca është shumë e rëndësishme, pasi një portier i dytë inteligjent të ndihmon të rritesh dhe të stërvit mirë që të japësh 100%.”
“Një lojtar rezervë duhet të japë dyfishin e tij për të fituar fanellën e titullarit dhe kjo vlen dhe për portierët”, – shtoi më tej Frezolini. Ka situatë kontradiktore për Strakoshën në median italiane, pasi, ndërsa një pjesë e kritikojnë, të tjerë e vlerësojnë paraqitjen e tij me notë të lartë dhe portieri i ri i përfaqësueses shqiptare është futur disa herë në 20-shen e lojtarëve më të mirë në Serinë A italiane.