AlbanianSport.com 21.12.2015 08:50
ASNN – Lacio i shkakton humbje Interit brenda në “San Siro”dhe milanezët rrezikojnë kryesimin. E kishte provuar humbjen edhe më parë, por ishte krijuar bindja se nuk do të gabonte më. E kundërta ndodhi dhe Interi është tani vetëm një pikë larg rivalëve në krye të Serisë A. Ashtu si ndaj Fiorentinës, disfata ndodhi brenda në “San Siro”, këtë herë nga Lacio, pavarësisht se me shifra më të ngushta.
Kryeqytetasit fituan 2-1 falë dy golave të Kandrevës, përballë një skuadre kryesuese të shpërfytyruar, që e shqetësoi shumë pak portierin e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, sërish titullar pas dëmtimit të Marketit. Goli i barazimit, i Ikardit pas një ore lojë, ishte gjuajtja e parë reale e Interit në portën mike. Veçse, skuadra e trajnerit Mançini nuk mundi të bënte përmbysje.
Gol tjetër zikaltër nuk pati, ndërsa Lacio i dha më në fund një kënaqësi tifozëve të vet, duke arritur një fitore historike, por që nuk e ngjit më shumë se vendi i 10-të në renditje.
Interi gaboi, kur rivalët kishin fituar. Napoli ia doli në fushën e vështirë të Atalantës, ku fitorja erdhi falë të zakonshmit Gonzalo Higuain. Pretendent i madh për titull, tashmë, edhe Juventusi.
Kampionët treguan forcë morale në fushën e Karpit, duke përmbysur rezultatin me dy gola të sulmuesit kroat, Mario Manxhukiç, dhe një të Pol Pogbasë. Sukses edhe për Romën, 2-0 ndaj Xhenoas në “Olimpiko”, por edhe për Milanin. Interi mbetet në krye me 36 pikë, por katër kundërshtarët, Fiorentina, Napoli, Juventusi e Roma janë pranë, madje është afruar edhe Milani.