Albaniansport.net 25.01.2016 07:55
ASNN – Etrit Berishën mund ta quajmë një barrikadë për 11-metërshat. Shqiptari ndali edhe në këtë javë të Serie A një tjetër goditje nga pika e bardhë. Një “revansh” ky për 26-vjeçarin, i cili është portieri i dytë te Lacio.
Etrit Berisha ndali goditjen e Paloskit, duke shuar shpresat e Kievos për një përmbysje. Portieri i Kombëtares kuqezi e ndihmoi në këtë mënyrë skuadrën kryeqytetase të fitojë takimin me rezultatin 4-1.
Por ky nuk është 11-metërshi i parë i pritur nga Etrit Berisha, pasi në 7 raste të paraqitura, ai ka ndalur me sukses 4 prej tyre. Më mirë se shqiptari është vetëm portieri i Interit, Samir Handanoviçi.
Berisha është pengesë për kundërshtarët edhe herë të tjera në kampionat dhe kupat e Evropës. E fundit ishte në Ligën e Evropës, duke i mohuar Soderlundit të Rozenborg të shënojë.
Gardiani kuqezi, Etrit Berisha, është një garanci për portën e Lacios, por këtë nuk e ka kuptuar vetëm trajneri Stefano Pioli, i cili beson se Federiko Marketi, duhet të jetë portier i parë.