Adriatik Balla 06.06.2015 13:30
Lacio ka qenë vitet e fundit një strehë e sigurt dhe e vlefshme për lojtarët shqiptarë, sidomos për futbollistët e ekipit kombëtar dhe për këtë ka një meritë të padiskutueshme ish-sulmuesi kuqezi, sot drejtor sportiv i klubit të Lacios, Igli Tare. Lorik Cana dhe Etrit Berisha janë dy lojtarë cilësorë të përfaqësueses dhe është në interesin e ekipit të Xhovani De Biazit që ata të luajnë në nivele të larta dhe të jenë titullarë me skuadrën e tyre.
Por ndërsa për Canën ka dyshime në lidhje me të ardhmen e tij, pra nëse do të qëndrojë apo do të ikë nga klubi italian, kjo dilemë duket të jetë zgjidhur përfundimisht nga portieri Berisha, i cili ka vendosur të qëndrojë me bardhekaltrit edhe një sezon tjetër, pavarësisht se mediat italiane kanë shkruar se do të jetë Marketi titullari i portës së Lacios edhe për sezonin e ardhshëm.
Mbetet të shihet në ditët e ardhshme se çfarë vendimi do të marrin lojtarët shqiptarë të Lacios. Me shumë gjasë, Tare mund të ndikojë personalisht që të dy kuqezinjtë të vijojnë të luajnë me bardhekaltrit dhe pesha e fjalës së tij është e madhe për të dy lojtarët, nisur nga raportet e shkëlqyera që kanë midis tyre.