AlbanianSport.com 11/01/2019 17:30
ASNN – Eros Grezda është i pafat. Në kulmin e formës së tij dhe kur kishte nisur të merrte rol protagonisti në radhët e Gllasgou Rejnxhërsit, ndodh të dëmtohet e të rrezikojë mungesën për shumë javë. Dëmtimi ka ndodhur gjatë fazës përgatitore në Spanjë. Nuk dihen rrethanat që çuan në këtë dëmtim të rëndë, por mësohet nga mediat skoceze se Grezda ka përfunduar me paterica, pasi këmba e tij e majtë ka pësuar dëmtim të rëndë.
Të njëjtin dëmtim Grezda e ka kaluar edhe tek Osijeku në Kroaci, prandaj situata për të paraqitet e ndërlikuar dhe e rrezikshme. Dhe nëse konfirmohet se është i njëjti dëmtim, atëherë futbollisti i Kombëtares kuqezi do të mungojë shumë javë dhe kjo do të ishte mjaft e rëndë për karrierën e tij. Informacionet paraprake paraqesin një dëmtim jo të lehtë dhe rrezikohet një pushim i gjatë për kosovarin. Lojtari shqiptar është parë i shoqëruar nga pjesëtarët e stafit mjekësor, me këmbën e futur në një pajisje të veçantë.
Çka tregon për dëmtim serioz dhe i mbështetur mbi paterica. Pikërisht patericat i japin dëmtimit të tij pamje dramatike. Madje në rrjetet sociale fotografia e tij me paterica është klikuar së tepëmi, por komentet kanë qenë mosbesuese dhe tifozët kanë nisur ta quajnë një goditje të shkuar dëm. Tifozët e kanë humbur besimin se Eros Grezda mund të riaftësohet shpejt dhe të jetë në shërbim të ekipit. Për futbollistin e Kombëtares kuqezi, po vjen një moment i vështirë.