AlbanianSport.com 15.01.2015 19:05
ASNN – Përveç Andi Lilës, mbrëmja e së mërkurës nuk ka shkuar mirë as për futbollistin tjetër të Kombëtares, Ergys Kaçen. Mesfushori i Kombëtares e ka nisur vitin me një karton të kuq, i cili sidoqoftë nuk ka ndikuar te skuadra e tij greke, PAOK-u i Selanikut. Sakaq, sipas mediave greke, Kaçe mund të pezullohet 4 ndeshje.
Skuadra greke luajti mbrëmë takimin e parë të kampionatit për 2015-tën, të vlefshëm për javën e 18-të, në fushë të huaj ndaj Kalonit. Që në minutat e para vendësit patën epërsi ndaj miqve nga Selaniku, teksa kaluan në epërsi minutën e 7-të kaluan, me anë të Kaltsas.
Menjëherë në fushë mbizotëruan nervat dhe loja e ashpër, e cila solli edhe reagimin e gjyqtarit. Në fillim ai ndëshkoi me të verdhë Viktorin e PAOK-ut dhe vetëm dy minuta më pas, i nxori direkt të kuqin, Ergys Kaçes. Korçari protestoi për një faull, sipas tij, të padhënë në dëm të tij, duke e ofenduar gjyqtarin.
Me një lojtar më pak selanikasit, gjithsesi arritën që të barazonin në minutën e 50-të me anë të Pereiras dhe tetë minuta më vonë, po ky lojtar shënoi edhe golin e epërsisë, që vulosi edhe fitoren.