AlbanianSport.com 26.11.2014 09:45
ASNN – Pesë vjet kontratë për mesfushorin e kombëtares sonë të Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë në Kroaci. Presidenti i klubit kroat, Mamiç: “E dinim që kishim të bënim me një talent që kur e morën”. Pogradecari Endri Çekiçi ka firmosur zyrtarisht një kontratë 5-vjeçare me Dinamon e Zagrebit. Në fakt, që kur Çekiçi ka shkuar pranë këtij klubit të njohur evropian, të gjithë kanë qenë në pritje të kësaj dite. Ndaj, edhe për këtë arsye, pogradecari prej gati katër vitesh i ka kaluar të gjitha ekipet e moshave të klubit kroat.
Për të ardhur tek ceremonia e një nate më parë në “Blu Salon Maksimir”, aty ku zakonisht kryhen ceremoni për futbollistë tepër të njohur. Fakti që klubi ka bërë një ceremoni të tillë edhe për Endri Çekiçin, tashmë 18-vjeçar, tregon se kroatët e Dinamos së Zagrebit e vlerësojnë në maksimum lojtarin e ardhur nga një qytet i vogël në juglindje të Shqipërisë. Për atë se ata besojmë shumë tek ky futbollist. Aq fort e kanë pritur kroatët firmën e Çekiçit, aq sa letrat ia kanë lëshuar mbi tavolinë futbollistit ditën kur ka mbushur 18 vjeç.
Moshë që i jepte mundësi pogradecarit të lëshonte vet firmë si një futbollistë profesionist. Duhet thënë se Çekiçi, që kur ka ardhur tek kjo skuadër e njohur, ka pasur një kontratë, por firma është lëshuar në prani të prindërve të tij. Kurse kësaj here, kuptohet në një moshë më të madhe se përpara katër vjetësh, ka qenë vetë Çekiçi, i cili ka firmosur kontratën e tij të re për kroatët e Dinamos së Zagrebit.
Tani është radha e pogradecari për të treguar se ka shumë gjëra për të thënë në fushën e futbollit. Sepse,fundja, vetëm tani ka të drejtën të luaj si i rritur. Me një ekip të njohur si Dinamo e Zagrebit, aty ku dhe më parë kanë luajtur futbollistë tejet të njohur shqiptar.