AlbanianSport.com 19.06.2015 16:25
ASNN – Empoli kërkon 7 milionë euro nga Napoli për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Aksionet e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare po rriten çdo ditë në bursën e futbollit dhe është e kuptueshme se klubi i tij, Empoli, shpreson të nxjerrë maksimumin e përfitimit.
Ish-trajneri i tij, Sarri, pëlqen shumë që ta marrë tek Napoli, por duhet të bindë presidentin De Laurentis se ky investim ia vlen. Në moshën 21-vjeçare, lojtari me origjinë shkodrane dhe i rritur në Itali, ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme përpara vetes dhe do t’i jepte garanci ish-trajnerit të tij.
Gjithsesi, ekziston mundësia që napolitanët të tërhiqen. Ata kanë shpenzuar 5.5 milionë euro për lojtarin tjetër të Empolit, Valdifiorin, ndërsa klubi toskan kërkon edhe 11 milionë euro për Saponarën. Hysajt do t’i pëlqente të bashkohej sërish me trajnerin Sarri, por nuk do t’i mungonin admiruesit e tjerë, edhe nëse ky transferim do të dështonte.
Lacios i ka interesuar edhe më parë. Nëse Napoli nuk do ta marrë mbrojtësin shqiptar, mund të tentojë lojtarin e Torinos, Mateo Darmian, por futbollisti i kombëtares së Italisë mund të kushtonte 20 milionë euro.