AlbanianSport.com 04/12/2018 15:35
ASNN – Emanuele Ndoj po kalon një moment të mrië me skuadrën e tij, Breshia, në ligën e dytë italiane, pra në Serinë B. Mesfushori i Kombëtares shqiptare të Futbollit, i cili si kuqezi ka luajtur 4 takime dhe madje ka arritur të shënojë edhe një gol në ndeshjen miqësore kundër Ukrainës në fillim të qershorit, është titullar i padiskutuar në radhët e skuadrës italiane.
Një nga faqet sportive italiane, “TMW”, e ka radhitur Emanuele Ndojin në 20 lojtarët më të vlerësuar në Serinë B, me një notë mesatare 6.27. Pra Ndoji është përfshirë në “20-shen” më të mirë në ligën e dytë italiane, ndërsa në vlerësimin për mesfushorin kuqezi shkruhet: “Lojtar që bën diferencë në mesfushë. Është regjisori i vërtetë i Breshias në repartin e mesfushës dhe një futbollist kreativ në ndërtimin e lojës.”
“Jep kontribut në të dy fazat e lojës dhe është ndër elementët më të spikatur në Serinë B”, – vijon vlerësimi i faqes në fjalë. Me këtë ecuri, trajneri Kristian Panuci ka arsye të besojë në vlerat e futbollistit dhe ftesa për të në duelet e ardhshme eliminatore të Evropianit të vitit 2020 është e padiskutueshme. Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se Ndoji, pavarësisht se është nën kontratë, ndodhet në fokusin e shumë klubeve.
Sepse është një futbollist që, veçanërisht në mesfushë bën dallimin dhe është i aftë të luajë në çdo pozicion të këtij reparti. Mbetet të shihet në merkaton e verës së vitit 2019 çfarë do të ndodhë me mesfushorin kuqezi.