AlbanianSport.com 28/02/2019 13:50
ASNN – Emanuele Ndoji feston përfshirjen e tij në 20-shen e Serisë B me gol në barazimin 1-1 të Breshias ndaj Padovës. Emanuele Ndoji po e tregon veten si një mesfushor me të ardhme, për më tepër që nga një studim i publikuar në mediat italiane, vlerësohet në 20 futbollistët më të mirë të Serisë B dhe me shanse të luajë edicionin e ardhshëm në Serinë A.
Por nuk mbaron me kaq, pasi mesfushori i Kombëtares kuqezi regjistroi të martën në mbrëmje një paraqitje fantastike dhe me gol. Kështu, Breshia ku aktivizohet ylli i kombëtares shqiptare të futbollit, barazoi me Padovën 1-1. Në teori duhej të ishte një duel i lehtë për Breshian, e cila, siç dihet, mban vendin e parë, ndërkohë që Padova është në vendet e fundit.
Por rezultoi një ndeshje shumë e vështirë. Në fillim shënoi Padova, por në pjesën e dytë ishte Ndoji që shpëtoi nderin e skuadrës së tij me një gol me vlera, pasi nuk e nxori Breshian të humbur nga kjo ndeshje. Ndoji e shënoi golin e tij të barazimit në minutën e 77-të, nga një largim i gabuar i topit i mbrojtjes së Padovës, teksa Ndoji vetë e kalibroi si duhet goditjen e tij dhe me një gjuajtje të saktë përshëndeti rrjetën.
Falë këtij goli barazimi Breshia e ruan vendin e parë në renditjen e Serisë B, teksa vetë Ndoji i shtoi shumë pikë vetes dhe tani llogaritet si një prej lojtarëve më me peshë në kampionatin e ligës së dytë italiane.