AlbanianSport.com 07.05.2015 07:55
ASNN – Empoli ka siguruar të mërkurën mbijetesën në nivelin më të lartë të futbollit italian, pasi ka përfunduar me fitoren 1-0 të saj sfida që i dha fund javës së 34-t të Serisë A, ku kundërshtar përballë ishte Torino, në fushën e kësaj të fundit.
Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Empolin, skuadër tek e cila luan edhe mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, pasi me këtë sukses Empoli siguroi edhe matematikisht mbijetesën dhe do të luajë në Serinë A edhe sezonin e ardhshëm.
Edhe në këtë takim, Hysaj luajti që nga minuta e parë duke zhvilluar një ndeshje shumë pozitive. Në “Olimpiko” të Torinos sfida nisi me një autogol qesharak të portierit të skuadrës së “Demave”, Padelli, që i dha epërsinë 1-0 Empolit.
Pa u mbushur ende 3 minuta lojë Empoli gjen golin që i mjafton përgjatë 90 minutave të tjera për të mundur Torinon dhe për të siguruar mbijetesën. Ndeshja e së mërkurës ishte e tillë, që në fushën e lojës mund të kishim dy shqiptarë kundër njëri-tjetrit në Serinë, A, por nuk ka ndodhur kështu.
Nëse Hysaj ka qenë në fushën e lojës për 90 minuta, Migjen Basha e ka ndjekur atë nga stoli. Në këtë mënyrë është shmangur rivaliteti i dy shokëve të kombëtares në fushë. Për Hysajn, në fund të ndeshjes ka pasur një vlerësim pozitiv.
Mbrojtësi ka marrë notën 6, pasi për të ka pasur vetëm një moment vështirësie në pjesën e parë, nga ku ka ardhur një krosim në zonën e Empolit dhe më pas, e gjithë ndeshja ka qenë shumë e mirë për të.
Pavarësisht se në krah ka pasur një lojtar të shpejtë dhe të lëvizshëm si Bruno Peres i Torinos, Hysaj ia ka dalë që të paraqitet pozitivisht, në ndeshjen e fituar minimalisht nga Empoli.