AlbanianSport.com 19.11.2016 19:35
ASNN – Jo më kot ai është ndër më të përfolurit në merkato, me emra të mëdhenj të kalibrit të Çellsit, Arsenalit, Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid të përmendur për interesimin kundrejt tij dhe me shifra si 30 milionë Euro të ofruara prej tyre për firmën e shkodranit. Elseid Hysaj po rikthehet në formën e tij më të mirë dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen që Napoli e fitoi 2-1 në fushë të huaj ndaj Udinezes.
Mbrojtësi shqiptar u bë protagonist edhe në rastin e golit të dytë të fitores së Napolit në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të Serisë A të Kampionatit Italian të Futbollit. Heroi i vërtetë për napoletanët ishte Lorenco Insinje që realizoi dygolësh për të rikthyer skuadrën e tij në rrugën e fitoreve. Të 3 golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e dytë të tij.
Fillimisht, në të 47-ën, Insinje shënon golin e parë, ndërsa 10 minuta më vonë edhe të dytin. Ishte Hysaj ai që çoi në zonë një top, i cili nuk u largua si duhet nga mbrojtësit dhe Insinje përfitoi për të shënuar golin e dytë. Perica ngushtoi largësinë e golave për vendasit në të 59-ën. Elseid Hysaj provoi që të shënonte edhe golin e parë personal këtë sezon në Serinë A, por përpjekjet e tij dështuan.