AlbanianSport.com 02/02/2019 20:15
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares Elseid Hysaj ndodhet në pozita të vështira tek Napoli, pasi ka humbur vendin e titullarit në radhët e skuadrës së trajnerit Karlo Ançeloti. Në duelin e radhës së napolitanëve, atë ndaj Sampdorias, trajneri Ançeloti e ka afruar atë në 18-she, por nuk dihet nëse do ta aktivizojë si titullar. Mbetet të shihet nëse do t’i besojë trajnerit mbrojtësit shqiptar apo jo.
Ndërkohë, pikërisht të dielën, Elseid Hysaj mbushi 25-vjeç, një pikë kulmore e karrierës së tij. ka shkëlqyer me të gjitha skuadrat ku është aktivizuar. Shkoi me shumë bujë tek Napoli gjatë kohës që drejtonte Mauricio Sarri dhe për tre vjet me radhës ka qenë i padiskutuar si mbrojtës i krahut të djathtë. Por Ançeloti preferon lojtarë që kanë më shumë tipare sulmuese sesa mbrojtëse.
Dhe për këtë ka preferuar në ndeshjet e fundit Malkuitin, duke lënë në stol shkodranin Hysaj. Një qëndrim dhe lëvizje që ka nxitur jo pak fjalët e merkatos dhe dëshirën për largim të Hysajt. Sidoqoftë, në këtë moment gëzimi të 25-vjetorit të tij, për Hysajn është kohë reflektimesh. Ai ka marrë urime të shumta nga shokët, dashamirët dhe natyrisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në këtë përvjetor, një mesazh të shkurtër por domethënës i ka nisur dhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Gëzuar ditëlindjen e 25-të Elseid Hysaj. U bëfsh 100 vjeç!”, – shkruan Duka në urimin e tij. Në fakt, kreu i federatës i ka nisur një mesazh të tillë urimi, me të njëjtën përmbajtje, edhe lojtarit tjetër të Kombëtares, Elhan Kastratit, i cili feston sot 22-vjetorin e lindjes.
Dy kuqezinj që duan të lënë gjurmë në përfaqësuese, por dukshëm shkodrani Hysaj është një nga pikat kryesore të formacionit titullar të përfaqësueses kuqezi prandaj dhe ngjarjet rreth tij marrin rëndësi të veçantë. Të gjithë shpresojnë që Hysaj të kthehet titullar me Napolin dhe të japë kontribut në përfaqësuese në ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”-ës.