AlbanianSport.com 03.02.2016 22:05
ASNN – Sezoni i kaluar ishte i pari për të në Serinë A me Empolin, ndërsa tashmë Elseid Hysaj i ka befasuar të gjithë me paraqitjet mbresëlënëse me bluzën e Napolit, ku sigurisht edhe për meritë të tij, gjenden në vendin e parë në renditje. Për lojën dhe maturinë e treguar në fushën blertë, Hysaj duket se ka vite të tëra që luan në nivele të larta në Serie A, por ai është një mbrojtës i ri dhe me të ardhme të madhe përpara. Elseid Hysaj e ka festuar ditëlindjen e tij të 22-të këtë të martë.
Klubi i Napolit e uroi shkodranin në rrjetet sociale, në “Facebook” e “Instagram”, ndërsa publikuan edhe intervistën e tij për “Radio Kiss Kiss”. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare e ka vlerësuar ditëlindjen e tij të 22-të si më të bukurën e më emocionuese që ka përjetuar, duke falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë. Napoli është pretendent kryesor për të fituat këtë vit Serie A, për këtë Hysaj ka edhe një koment: “Të gjithë lojtarët e Napolit do të japin shpirtin për ta fituar titullin “kampion””.
Hysajt iu kushtua një status në “Facebook” edhe nga profili zyrtar i Serisë A. “Sot ai është 22 vjeç, por në fushën e lojës tregon një pjekuri të pazakontë”. Ky postim është shoqëruar edhe me një foto të 22-vjeçarit, mbi të cilën shkruhet edhe historia e treguar më parë nga Hysaj se si babai i tij mbërriti në Itali me gomone dhe vuajtjet që ai ka përjetuar.