AlbanianSport.com 14/02/2019 17:50
ASNN – Elis Bakaj i shënon gol Rubinit të Kazanit në miqësore, Shahtjori bjellorus ka një “as” në gjirin e tij. Elis Bakaj po kalon një moment të mirë në karrierën e tij, pasi është shndërruar në futbollist lider i skuadrës së Shahtjorit të Soligorskut në kampionatin bjellorus, duke qenë një futbollist që përcakton në mjaft raste fatet e ndeshjes në favor të skuadrës së tij.
Së fundmi mesfushori me tipare sulmuese ka realizuar golin e parë në ndeshjen miqësore që skuadra e Shahtjorit të Soligorskut zhvilloi ndaj rusëve të Rubinit të Kazanit. Ishte një ndeshje e mirë për futbollistin shqiptar, pasi shënoi në minutën e 30-të për ekipin e tij golin e parë dhe të vetëm për bjellorusët në këtë takim. Në fakt, Rubin Kazan e fitoi ndeshjen 2-1.
Por mediat bjelloruse në analizën e tyre vënë theksin tek roli dhe pesha që ka lojtari shqiptar në gjirin e skuadrës së Soligorskut. Kuptohet, Bakaj nuk është tamam sulmues i parë dhe i mirëfilltë. Ai është më shumë pasues i fundit dhe një lojtar që bën mirë rolin në mesfushë dhe në sulm, duke qenë një prej lojtarëve me më shumë vlerë në gjirin e Shahtjorit të Soligorskut.
Goli dhe loja e mirë në miqësoren me Rubin Kazanin dëshmojnë dhe një herë se Elis Bakaj po kalon një sezon fantastik, por kjo mund të jetë dhe një shenjë, pse jo, për trajnerin e Kombëtares Kristian Panuçi, megjithëse rivaliteti në Kombëtare në pozicionin e Bakajt është shumë i madh dhe futbollisti ka pak shanse të marrë ftesë nga trajneri italian i skuadrës kuqezi.