AlbanianSport.com 10/03/2019 21:10
ASNN – Elis Bakaj nuk ka nevojë për t’u konfirmuar, pasi ai i ka kaluar sprovat e mëdha në kampionatet e huaja, teksa së fundmi është shndërruar në lider të ekipit të Shahtjorit të Soligorskut në kampionatin elitar të Bjellorusisë. Të dielën ai ishte sërish vendimtar për ekipin e tij në çerekfinalen e Kupës së Bjellorusisë, duke shënuar dy gola në fitoren e thellë 5-0 të skuadrës së tij në përballjen me Belshinën.
Edhe pse ishte dueli i parë në këtë tur midis tyre, shifrat tregojnë se Soligursku është tani me një këmbë në turin tjetër të Kupës. Bakaj realizoi në fundin e pjesës së parë, një gol me peshë për të tijtë, pasi ishte goli i dytë në radhë dhe i dha qetësinë e duhur skuadrës së tij, pasi e çoi në pushimin midis dy pjesëve në epërsi 2-0. Për t’i vënë vulën fitores mendoi vetë Bakaj në mesin e pjesës së dytë.
Atëherë kur shënoi golin e 3-të për Shahtjorin e Soligorskut, në minutën e 60-të. Më pas skuadra e tij realizoi edhe dy gola të tjerë, por Bakaj me dygolëshin e tij ishte edhe këtë herë vendimtar. Duhet thënë se kjo paraqitje e mirë e Elis Bakajt me skuadrën bjelloruse është në vazhdën e paraqitjeve të tij të mira gjatë gjithë sezonit, madje dhe gjatë fazës përgatitore dimërore.
Aty ku ai ishte në qendër të vëmendjes me golat dhe pasimet e tij në miqësoret e zhvilluara. Nisja me gol e vitit 2019 edhe në takime zyrtare është një shenjë pozitive për të, pasi e bën bakajn një lider të grupit dhe njëherësh një futbollist që mund të rivalizojë me golashënuesit. Kjo pasi ai ka realizuar në total në kampionat, në Kupë dhe në Ligën e Evropës 14 gola për Shahtjorin e Soligorskut, shifër e lartë për një mesfushor të avancuar.