AlbanianSport.com 30.09.2015 07:55
ASNN – Një lajm i keq vjen për Kombëtaren shqiptare dhe trajnerin Xhovani De Biazi. Kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana është dëmtuar në kaviljen e majtë në ndeshjen e zhvilluar të martën në mbrëmje në kampionatin francez. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi është larguar nga fusha duke çaluar, ndërsa ende nuk përcaktuar shkalla e dëmtimit të tij.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana është dëmtuar në ndeshjen midis Lilës dhe Nantës, zhvilluar të martën në mbrëmje. Mbrojtësi i kuqezinjve është përplasur në zonë me sulmuesin e Lilës dhe ka dëmtuar kaviljen e majtë. Pas konsultimeve me mjekun, Cana është detyruar të largohet nga fusha e lojës duke shqetësuar kështu trajnerin De Biazi.
Disa minuta para dëmtimit, Cana është ndëshkuar me karton të verdhë për një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit. Kështu, trajneri i kombëtares sonë, mund të mos ketë në dispozicion shërbimet e futbollistit në ndeshjen e rëndësishme me Serbinë, në 8 tetor 2015, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian, “Francë 2016”. Kapiteni i kuqezinjve është larguar për në dhomat e zhveshjes duke çaluar, tepër i mërzitur për këtë dëmtim, i cili mund ta lejë pa luajtur në ndeshjen me Serbinë.
Në orët në vijim do të përcaktohet shkalla e dëmtimit për qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare. Ndërkohë që trajneri De Biazi duhet të mendojë për zëvendësimin e tij, kur reparti i qendrës së mbrojtjes te Kombëtarja shqiptare ka mjaft mungesa. Mërgim Mavraj është ende i dëmtuar, ndërsa Arlind Ajeti, edhe pse është ende pa skuadër, është dëmtuar në shpatull në ndeshjen me Portugalinë.