AlbanianSport.com 26.08.2015 12:05
ASNN – Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, ka vlerësuar lart talentin e ri shqiptar, Albian Ajeti, por ka shtuar se shpreson që ai ta veshë fanellën e përfaqësueses kuqezi. Bazeli është njëri ndër klubet që ka nxjerrë në pah më tepër talente shqiptare në këto vitet e fundit dhe, pas Shaqirit dhe vëllezërve Xhaka, tani janë edhe tre vëllezërit Ajeti që janë produkt i kësaj akademie.
Deri më tani Taulant Xhaka, Arlind Ajeti dhe sulmuesi aktual i Bazelit, Shkëlzen Gashi janë pjesë e ekipit kombëtar, kësaj rrugë siç duket është edhe vëllai më i vogël i Arlindit,
Albian Ajeti, i cili është duke shkëlqyer në fanellën e Bazelit. “Ai është një lojtar i ri me kualitet të lartë dhe me shumë perspektivë”, – ka thënë De Biazi për “Joggeli.Ch”. – Ai është i interesuar për ne dhe shpresoj që të luaj me ne.”
I pyetur nëse Albiani, do të jetë i gatshëm për ndeshjet e shtatorit me Kombëtaren, trajneri italian është shprehur se së pari duhet të kompletojë dokumentet e tij në Shqipëri. “Nëse i japim pak nxitim, ai do të mund të arrijë të paraqitet në ndeshjet e tetorit”, – është shprehur trajneri i kombëtares kuqezi. Përveç Albianit, Kombëtares mund t’i bashkohet edhe vëllai tjetër Adonisi, i cili gjithashtu është një talent i jashtëzakonshëm.