AlbanianSport.com 01/01/2018 11:45
ASNN – Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, e ka mbrojtur portierin shqiptar, Thomas Strakosha, pas kritikave që kanë vërshuar në median italiane pas humbjes që Lacio pati të hënën ndaj Interit 0-3. Sipas De Biazit, Strakosha në këtë moment ka nevojë për mbështetje, ai ëstë një portier i madh dhe askush nuk është më i mirë se ai.
Madje De Bizi e krahasoi me Donarumën, që jo gjithmonë ia del të jetë perfekt, pra ka gabimet e tij. “Mendoj se Thomas Strakosha gjatë sezonit të kaluar tregoi se mund të bëjë gjëra të mëdha, – shpreh De Biazi, – është një portier i madh, por ende i ri. E kam parë që është përmirësuar shumë në lojën me këmbë, por ka nevojë të luajë në vazhdimësi dhe të fitojë më shumë eksperiencë.”
Kurse në lidhje me Donarumën dhe një krahasim me Strakoshën, de Biazi shtoi: “Nuk më duket që portierët e tjerë të rinj kanë bërë më mirë se ai, mjafton të shohësh Donarumën.” Kujtojmë këtu që ky është sezoni i tretë për Strakoshën që aktivizohet në Serie A, por në fillim ka luajtur më pak ndeshje, kurse në sezonin e shkuar ishte titullar i padiskutuar në të gjitha takimet.
Edhe këtë sezon ai është në formë dhe luan në portë i pashqetësuar nga rivalët e tjerë tek Lacio.