Adriatik Balla 19.06.2015 19:40
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhovani De Biazi nuk rresht së kërkuari më të mirën për lojtarët kuqezi, duke ndikuar edhe vetë personalisht që ata të zgjedhin të luajnë në ekipe të elitës, sidomos në Serinë A. Kohët e fundit ai është parë aktiv për tre futbollistë, konkretisht mbrojtësin Elseid Hysaj, mesfushorin Taulant Xhaka dhe sulmuesin Shkëlzen Gashi. Napoli dhe Fiorentina janë klubet e interesuara.
Por nuk mungon as vetë Empoli, i cili, përveçse dëshiron të mbajë Hysajn edhe për një sezon, e dëshiron me të madhe njërin midis Gashit dhe Xhakës, pasi kanë parë paraqitjen e tyre me Bazelin në kampionatin zviceran si dhe lojën e mirë të tyre me Kombëtaren shqiptare. Sipas trajnerit të Kombëtares, sulmuesi kuqezi, Shkëlzen Gashi, është një futbollist që e ka në gjak golin.
Ndërsa përsa i përket pozicionit, e sheh më shumë në krahun e djathtë, sikurse e aktivizoi edhe në eliminatoren me Armeninë. “Shkëlzen Gashi vitin e kaluar me fanellën e Gras’hopersit ishte golashënuesi më i mirë i Superligës së Zvicrës, duke shënuar 19 gola, për t’u shpallur më pas futbollisti më i mirë i kampionatit, – ka thënë De Biazi. – Këtë vit Souza e ka përshtatur si anësor të majtë, por unë e shoh më mirë në të djathtë, pasi duke qenë një mëngjerash natyral, mund ta godasë me lehtësi portën. Golin e ka në gjak. Edhe ai mund të jetë një blerje e goditur e Fiorentinës”