Adriatik Balla 14.05.2015 09:25
Merkato verore është shumë pranë dhe lojtarët shqiptarë po bëjnë planet e tyre të së ardhmes. Një nga futbollistët që është më i kërkuari nga lojtarët e përfaqësueses tonë në merkato, është sulmuesi kavajas Sokol Cikalleshi, i cili është pjesë e RNK Splitit në kampionatin kroat. Vetë mediat kroate kanë shkruar së fundmi se futbollisti shqiptar po ndiqet nga agjentë të ndryshëm të klubeve italiane, pasi pamjet filmike të ndeshjeve që ai ka zhvilluar tregojnë për një lojtar me potencial të madh që mund të luajë në nivele të larta në kampionatin e Serisë A.
Janë disa skuadra që e ndjekin futbollistin e përfaqësueses tonë, konkretisht Kievo, Atalanta dhe Xhenoa në Itali, por edhe disa skuadra të Bundesligës emrat e të cilave nuk jepen nga mediat kroate. Referuar gjithmonë faqeve sportive të këtij vendi, Cikalleshi mund të shfrytëzohet nga klubi kroat për të nxjerrë përfitime, pasi është e sigurt që ai do të tentojë të luajë në një kampionat më cilësor sezonin e ardhshëm dhe e ka staturën për të luajtur në nivele të larta në një kampionat elitar. Ofertat e ardhura nga klubet italiane janë në fazën e parë, atë të joshjes.
Por, zyrtarisht, nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim, kjo edhe port faktin se ofertat dhe lëvizjet zyrtare mund të bëhen vetëm pas 1 qershorit, datë kur edhe hapet zyrtarisht afati kalimtar i transferimeve verore të futbollistëve. Golashënues i skuadrës tonë kombëtare po kalon një moment të shkëlqyer, ku ka shënuar shumë gola me skuadrën e tij në Kroaci dhe është, gjithashtu, një nga lojtarët me potencialin më të madh në ekipin e De Biazit, vërtetuar edhe nga ndeshja e fundit që Shqipëria zhvilloi ndaj Armenisë më 29 mars në “Elbasan Arena”.
Cikalleshi goditi dy herë shtyllën dhe krijoi shumë raste shënimi, por për fat të keq i mungoi vetëm goli.