AlbanianSport.com 13/01/2024 16:45
ASNN – Pas telasheve që pati me klubin, sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, është kthyer te skuadra e Konjasporit. Sipas asaj që kanë raportuar mediat turke, ai është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa po bëhet gati për ndeshjen e së dielës kundër Istanbulsporit në fushën e kësaj të fundit.
Ky ballafaqim i takon javës së 20-të të nivelit më të lartë të kampionatit të futbollit në Turqi, Superligës. 33-vjeçari i Kombëtares kuqezi ka shënuar 8 gola dhe ka kontribuuar edhe me dy pasime për gol në 15 ndeshjet që ka luajtur në Superligën dhe Kupën e Turqisë.
Në fakt, më herët ishte raportuar se sulmuesi shtatlartë, por edhe portieri i skuadrës, dhe klubi turk kishin mosmarrëveshje sa i përket pagava të pashlyera dhe ai u la jashtë skuadrës për dy ndeshjet e radhës në kampionat dhe në Kupë. Mbetet për t’u parë nëse ky rikthim në skuadër nënkupton se këto mosmarrëveshje janë zgjidhur.