AlbanianSport.com 25/01/2019 19:10
ASNN – Aktivizimi i një lojtari të huaj më shumë nga sa e lejon rregullorja prej Akhisarit në kampionatin turk në duelin kundër Beshiktashit, ka sjellë penalizimin e skuadrës vendase, e cila e humbet ndeshjen në tavolinë 3-0. Në fakt, Akhisarspori e kishte humbur këtë ndeshje në realitet 3-1, ku golin e vetëm për të e shënoi sulmuesi shqiptar Sokol Cikalleshi.
Në fakt, sulmuesi kuqezi shënoi dy gola, por njërin e anuloi gjyqtari, për pozicion jashtë loje, kurse këtë të rregulltin ia hoqi Komisioni i Disiplinës i Federatës Turke të Futbollit. Shkelja e një neni të rregullores nga Akhisarspori, ia heq nga lista Cikalleshit golin për të cilin ai derdhi kaq shumë mund. Edhe pse e nisi si “goleador” dhe si lojtar i rëndësishëm, këtë herë emrin si golashënues ia hoqi federate turke.
Duhet thënë se Beshiktashi nuk kishte bërë ankesë për këtë rast, por disiplina turke e konstatoi vetë shkeljen dhe reagoi. Sidoqoftë, Cikalleshi do të ketë të tjera mundësi të tregojë vlerat e tij në kampionatin turk me skuadrën e vet, teksa mediat turke e konsiderojnë një goditje të mirë në merkaton e dimrit për Akhisarsporin.