AlbanianSport.com 29.11.2016 12:30
ASNN – Futbollisti kuqezi, Sokol Cikalleshi, u kthye në fushë me ekipin e tij turk, Istanbul Bashaksehir, pas më shumë se 2 muajsh, duke shënuar golin që i mungonte prej majit të kaluar. Sulmuesi shqiptar realizoi në fitoren 1-0 në fushën e Jeni Amasjasporit.
Cikalleshi mposhti mbrojtjen vendase në minutën e 73-të të takimit të fazës së grupeve të Kupës së Turqisë. Një gol edhe pse ndaj një skuadre amatore, por që vlen për të gjetur sërish një vend në ekipin e tij. Sokol Cikalleshi u la jashtë vëmendjes së trajnerit Abdullah Avxhë, pasi në kampionat e ka aktivizuar vetëm 64 minuta.
Një situatë e tillë bëri që Cikalleshi të mos përfshihej në listën e Xhovani De Biazit në takimin me Izraelin edhe pse kuqezinjtë kishin probleme me sulmin. Ky është sezoni i dytë për 26-vjeçarin te Istanbul Bashaksehiri, ku u transferua vitin e kaluar. 26-vjeçari arriti të shënojë një gol të bukur në minutën e 73-të të ndeshjes.
Cikalleshi arrin ta ulë topin brenda zonës e më pas lëshon një goditje të pakapshme për portierin kundërshtar. Pas këtij goli mbetet për t’u parë nëse sulmuesi kuqezi do të arrijë të gjejë më tepër hapësira në ekipin e tij, apo në do të largohet gjatë merkatos së janarit.