AlbanianSport.com 15/01/2019 15:40
ASNN – Gëztepe dhe Cikalleshi ndërpresin bashkëpunimin, sulmuesi në dorë të Osmanllësporit. Ajo që ishte përfolur prej ditësh në mediat turke për një prishje të bashkëpunimit midis sulmuesit Sokol Cikalleshi dhe klubit të Gëztepesë u bë realitet. Të hënën në mbrëmje lojtari dhe klubi ndërprenë në mirëkuptim kontratën, duke bërë që kavajasi të largohet nga skuadra turke, por nuk mund të largohet nga Superliga e Turqisë.
Ai pritet të kthehet tek Osmanllëspori, skuadër që renditet në vendin e 6-të në kampionatin turk dhe që ka në pronësi kartonin e futbollistit. Cikalleshit nuk iu dha shumë hapësirë tek Gëztepeja, megjithëse ai u konsiderua në fillim një afrim cilësor që do të përmbushte objektivat e skuadrës. Sulmuesi kuqezi luajti vetëm në disa ndeshje në Kupën e Turqisë e shumë pak minuta në kampionat. Pati fare pak gola të shënuar dhe aktivizimi i paktë nuk i dha mundësinë të shpaloste cilësitë e tij.
Ndërkohë, mbetet të shihet se si do të veprojë klubi i Osmanllësporit me kartonin e futbollistit, pra nëse do të pranojë të mbajë në gjirin e vet Cikalleshin, për ta pasur të gatshëm për objektivat e veta në kampionat, apo do ta huazojë në ndonjë klub tjetër turk. Gjithçka është e hapur, por për Cikalleshin ky nuk është progres, përkundrazi, atij i duhet urgjentisht një skuadër ku të aktivizohet rregullisht, në të kundërt, nuk do të marrë ftesë as në Kombëtaren kuqezi të trajnerit Kristian Panuçi.