Adriatik Balla 15.08.2015 12:35
Lorik Cana ka dëshiruar një skuadër elitare në një kampionat të fortë në Gjermani, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur, pasi ofertat financiare nuk e kanë joshur mbrojtësin e përfaqësueses kuqezi. Lacio nuk ka “bërë zë”, duke i lënë hapur një mundësi largimi, por edhe duke insistuar që në rastin rezervë të pranojë të qëndrojë dhe një vit tek ekipin lacial në Serie A italiane. Dje u mësua nga mediat sportive italiane se Lorik Cana ka marrë një ofertë konkrete nga Olimpiakosi grek.
Por kapiteni i Kombëtares kuqezi e ka refuzuar, pavarësisht se oferta ka qenë joshëse në aspektin financiar, përderisa grekët kanë ofruar një pagë më të mirë financiare për Canën se sa ai merr aktualisht tek Lacio. Në fillim u mendua për një arsyetim jo të logjikshëm të kapitenit kuqezi, por më pas u mësua se Cana është në konflikt me tifozët grekë të Olimpiakosit dhe prania e tij në Athinë nuk do të mirëpritej nga tifozët ultras të këtij klubi, nisur nga qëndrimet atdhetare të Canës në media dhe në impiantet sportive.
Cana ka një lidhje të fortë me tifozët kuqezinj të Kombëtares dhe qëndrimet e tij në ndeshje të caktuara e kanë forcuar profilin e tij si “nacionalist”. Dhe kjo gjë nuk shihet mirë nga grupimet ultras të tifozerisë greke, përfshi edhe atë të Olimpiakosit. Për këtë arsye ka ardhur dhe refuzimi i Canës ndaj ofertës së klubit të njohur grek.