AlbanianSport.com 23/05/2020 17:55
ASNN – Blutë e Londrës pritet të kenë një verë të vështirë dhe trajneri i Çellsit, Frenk Lampard, mendohet të mos ketë në dispozicion shuma të mëdha financiare për të forcuar skuadrën, por për fat, ka jo pak, por plot 7 yjet e rinj. Në fakt, është edhe një shqiptar një nga talentet e mëdhenj të klubit. Armando Broja ka mbërritur në kohën e duhur te Çellsi dhe madje jo vetëm ai, por edhe 6 djem të tjerë të rinj.
Mediat britanike shkruajnë se klubi i pronarit rus, Roman Abramoviç, mund të ndihmohet shumë nga aktivizimi i prodhimeve të Akademisë së vet. Njëri prej tyre është pikërisht sulmuesi shqiptar, i cili pritet të jetë shpejt pjesë e Kombëtares së të rriturve, teksa ka spikatur edhe me ekipet kuqezi të moshave.
Armando Broja është vetëm 19 vjeç dhe e ka bërë më në fund debutimin në ekipin e parë të Çellsit, në fitoren 4-0 arritur në Premier Ligë ndaj Evertonit. Ai ka shkëlqyer në ekipet e moshave të bluve, duke shënuar gola e ndihmuar shokët. Broja firmosi kontratën e parë si profesionist vetëm pak muaj më parë, ndërsa trajneri Lampard deklaroi se shqiptari bën pjesë, madje seriozisht, në planet e tij për të ardhmen.
Bashkë me të, janë edhe talente të tjerë si Billi Gilmor, Konor Gallager, Trevor Çalobah, Nejtën Bakster, Tino Anxhorin apo Ian Matsen.