Adriatik Balla 13.05.2015 08:50
Sulmuesi i Kombëtares nuk po e gjen vetveten prej dy vjetësh, klubi anglez shprehet i zhgënjyer. Edgar Çani po kalon një nga momentet e hidhura në karrierën e tij, pasi nuk po gjen vetveten dhe ndodhet në kushte të vështira vazhdimësie. Gjigandi i sulmit kuqezi ishte një nga zbulimet e trajnerit Xhovani De Biazi tre vjet më parë, por, prej afro dy vjetësh nuk arrin të bëjë diferencë dhe kritikat ndaj tij kanë qenë të shumta.
Kalimi nga Katania tek Lids Junajtid në merkaton e dimrit u cilësua si një ringjallje e sulmuesit shtatlartë dhe një mundësi për karrierën e tij, por kalimi në kampionatin e ligës së dytë angleze rezulton të jetë një nga dështimet më të mëdha në historinë e këtij klubi. Diçka të tillë e kanë evidentuar edhe mediat sportive angleze, që kanë bërë një analizë të gjendjes së Lidsit, veçanërisht mbi efikasitetin e lëvizjeve në merkato.
Dhe rezulton se Çani është një nga blerjet më të dështuara në historinë e klubit. Nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka luajtur shumë pak minuta, duke qenë larg pritshmërive dhe aspak bindës. Me të gjitha gjasat, Çani do të largohet nga Lidsi në fund të këtij sezoni, për t’u kthyer në radhët e Katanias në Itali, por edhe atje vështirë se do të gjejë ndonjë hapësirë aktivizimi.
E thënë ndryshe, çështja duket e mprehtë për sulmuesin tonë, të cilit i lind nevoja të provojë një aventurë të re në një kampionat të ri, me shpresën se do të rikthehet në formën e mëparshme dhe do të rigjallërojë karrierën e tij sportive. Ndërkohë, që nga momenti kur humbi minutazhin e kërkuar në fushë dhe nuk mundi të jetë titullar, Edgar Çani humbi edhe mundësinë të grumbullohej me Kombëtaren e trajnerit De Biazi.
Tashmë në repartin ofensiv ka lojtarë më në formë dhe që po prodhojnë më shumë lojë sulmuese, të tillë si Gashi, Cikalleshi dhe Balaj.