AlbanianSport.com 10.02.2015 15:25
ASNN – Etrit Berisha hyri si zëvendësues dhe Cana ishte titullar në humbjen e Lacios në shtëpi me Xhenoan. Të dy shqiptarët luajtën në këtë humbje të skuadrës kryeqytetase, në takimin e zhvilluar mbrëmë. Lorik Cana ishte titullar dhe Etrit Berisha zëvendësues, ndërsa Lacio u mund në fushën e saj nga Xhenoa.
Kartoni i pestë i verdhë i Canës, ndëshkim që sjell pezullim ndeshjen e radhës, u pasua nga dalja me të kuqe e portierit Marketi, në momentin vendimtar të takimit. 11-metërsh për gjenovezët, me Lacion që mbeti në inferioritet numerik. Ishte radha e Berishës për të hyrë në fushë, veçse portieri i Kombëtares shqiptare nuk mundi ta shmangte golin.
Diego Peroti ishte autori. Mbetur me 10 lojtarë, Lacio e pati të vështirë dhe u deshën disa ndërhyrje të Berishës për të mos lejuar humbje më të thellë. Kjo humbje nuk pritej nga trajneri lacial Pioli, dhe nga drejtuesit Lotito e Tare. Lacio pretendonte vendin e katërt, madje edhe që të ishte sa më pranë Napolit të vendit të tretë.
Për momentin, vendi në Evropë është e rrezikuar. Sa për shqiptarët, e sigurt është që Berisha do të luajë ndeshjen e ardhshme, ndërsa Cana jo.