Adriatik Balla 17.06.2015 07:55
Kapiteni i skuadrës përfaqësuese, Lorik Cana, ende nuk e ka vendosur në mënyrë përfundimtare se në cilin klub do të luajë sezonin e ardhshëm, por media italiane dhe ajo franceze kanë pikëpamje të ndryshme për destinacionin e tij të ri, madje kanë marrë
guximin të thonë se informacionet i kanë nga burimet pranë lojtarit. Duke iu referuar vetë fjalëve që ka thënë menaxheri i vetë Canës, që është babai i tij Agimi, Loriku mund të luajë sezonin e ri në Bundesligën gjermane, me shumë gjasë me skuadrën e Shalke 04-s, por mediat franceze thonë se ai po bëhet objekt i një shkëmbimi midis Lacios dhe Olimpikut të Marsejës.
Kështu, pas fjalëve të Lorik Canës për një largim të mundshëm nga Lacio tashmë skenarët për të ardhmen e kapitenit të Shqipërisë janë të shumta. Sipas gazetës “Corriere dello Sport”, Cana mund t’i ofrohet Olimpikut të Marsejës si pjesë e transferimit të Florian Thovënit tek Lacio. Sipas të përditshmes romane, e cila i referohet edhe shtypit francez, oferta e bërë nga presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, për sulmuesin e Marsejës është 10 milionë Euro plus kartonin e Canës. Madje në Francë janë të bindur që marrëveshja mund të mbyllet, pasi Olimpiku i Marsejës kërkon të përfitojë para dhe
mbi të gjitha e mirëpret rikthimin e ish-kapitenit në skuadër. Cana, i cili ka luajtur 157 ndeshje me Marsejën duke shënuar dhe 7 gola, ka oferta edhe nga kontinenti amerikan.