AlbanianSport.com 20.10.2015 19:50
ASNN – Merkatoja e verës kishte përfunduar por për Lorik Canën gjërat u vendosën pak më vonë, ku ai vendosi përfundimisht të zgjedhë të luajë në kampionatin francez Ligën 1, konkretisht me Nantën, duke refuzuar ofertat që erdhën nga disa klube angleze apo dhe Olimpiakosi grek. Në të vërtetë, duke folur për “Canal Plus” francez, kapiteni i Kombëtares shqiptare, ka treguar arsyen e largimit nga Lacio, për t’u bashkuar me skuadrën franceze.
Ai u kujtoi dhe një herë të interesuarve se kërkonte një aventurë të re dhe vendosi për Nantën, pavarësisht se atë e kërkonin edhe klube nga Anglia, si dhe skuadra e madhe greke, Olimpiakos. “Mund të kisha qëndruar te Lacio, por kishte ardhur koha të kërkoja një sfidë të re. Më kërkuan shumë klube, nga Anglia, por edhe Olimpiakos. Në fund zgjodha Nantën. Olimpiku i Marsejës më kërkoi vonë. E dua atë skuadër, por nuk kishte më kohë”, – tha Cana për “Canal Plus”.
Duket qartë se kapiteni i skuadrës kuqezi është në qendër të vëmendjes së shtypit francez dhe medias franceze në tërësi, pasi përveç njohjes së mëparshme, ai tani është kapiten i një skuadre që siguroi për herë të parë kualifikimin në Evropian. Për sportdashësit francezë Lorik Cana nuk është një emër çfarëdo, pasi ka pasur një karrierë të suksesshme me dy klubet e famshme franceze, si Paris SG dhe Olimpiku i Marsejës.