Adriatik Balla 15.08.2015 18:25
Lorik Cana ende nuk e ka vendosur se ku do të luajë në sezonin e ri, megjithëse afati zyrtar në merkaton e verës po shkon drejt fundit. Mbeten dhe dy javë për kapitenin kuqezi që të vendosë për destinacionin e tij të ri, ndërkohë që nuk i kanë munguar ofertat nga klube të ndryshme në liga të ndryshme evropiane.
Kapiteni i kombëtares shqiptare ka edhe një vit kontratë me Lacion, por ka rënë dakord me klubin italian që të largohet falas, në rast se gjen klubin që dëshiron. Megjithatë, deri tani Cana ka refuzuar disa alternativa, duke preferuar të qëndrojë në Evropë, edhe pse ka marrë oferta joshëse nga kampionati amerikan MLS dhe ka Katari.
Në këtë mënyrë, nuk përjashtohet mundësia që qendërmbrojtësi kuqezi të vazhdojë të luajë te Lacio, pavarësisht janë katër qendërmbrojtës të tjerë në skuadër që i bëjnë konkurrencë te ekipi italian kapitenit kuqezi. Mbetet të shihet lista që do të publikojë trajneri Xhovani De Biazi për dy ndeshjet e radhës të përfaqësueses ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.
Por me siguri që Cana do të jetë në këtë listë, nisur dhe nga nevoja që ka De Biazi në repartin difensiv pas dëmtimit të Mërgim Mavrajt, i cili do të mungojë për një periudhë të gjatë. Cana është shtyllë e mbrojtjes dhe De Biazi por edhe i gjithë stafi i Kombëtares e di mirë peshën e tij në ekip