AlbanianSport.com 06.02.2015 15:45
ASNN – Pasi u shpall trajneri i vitit në Belgjikë, Besnik Hasi i shton një tjetër dozë pozitive karrierës së tij të suksesshme te Anderlehti. Klubi belg do të vazhdojë t’i besojë skuadrën trajnerit shqiptar, të paktën edhe për dy vitet e ardhshëm.
Kjo pasi Besnik Hasi ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2017. Firma e ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare në kontratën e re është përjetësuar në foton e publikuar në adresën zyrtare të klubit në internet.
Rinovimi është një tjetër shenjë besimi e Anderlehtit në drejtim të Besnik Hasit. Trajneri mori drejtimin e skuadrës në pjesën e dytë të sezonit të shkuar dhe, megjithëse pak besonin, ai arriti të fitonte titullin “kampion” në Belgjikë.
Që në vitin e parë, Hasi i shtoi një tjetër trofe karrierës së tij si trajner i parë, duke fituar edhe Superkupën. Të gjitha këto kanë shtyrë klubin e Anderlehtit t’i ofrojë rinovimin Besnik Hasit, skuadra e të cilit në këtë sezon renditet në vendin e dytë.
Anderlehti ka aktualisht shtatë pikë më pak se kryesuesit e Klub Bryzhit. Po ashtu, pasi u rendit në vendin e tretë në grupet e Ligës së Kampioneve, Anderlehti do të luajë në Ligën e Evropës.