AlbanianSport.com 02.03.2017 12:55
ASNN – Skuadra e Mellbërn Viktori, ku luan sulmuesi i Kosovës, Besart Berisha, do të luajë të premten ndeshjen kundër FC Sidneit dhe 31-vjeçarit i duhen edhe dy gola për të arritur shifrën e 100 golave në Australi. Besart Berisha është një nga lojtarët që ka shkëlqyer gjatë viteve të fundit me skuadrën e tij, ku, prej disa vitesh aktivizohet në kampionatin e futbollit të Australisë, që njihet si “Liga A”.
Kosovari ka luajtur fillimisht me Brisbejn Roarin, me të cilën fitoi disa trofe, kurse dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Melburn Viktorit, një prej ekipeve të njohura australiane. Vetëm pak javë më parë, Berisha theu dhe një rekord në futbollin e këtij vendi, si autor i më shumë golave në kampionatin australian. Rekordi i mëparshëm ishte 91 gola.
Por Berisha vijon të shënojë, duke tentuar të vendosë një rekord të ri më të thellë. Dhe ambicia e tij së afërmi është të kalojë shifrën e 100 golave në kampionatin e ligës së parë të Australisë, një shifër që është shumë afër dhe që kosovari mund ta thyejë brenda kësaj jave. Të shumtë janë analistët sportivë në Australi që besojnë se ai do të vijojë të fiksojë rekorde të reja.