Adriatik Balla 16.05.2015 20:40
“Ai është “Shqiptari i çmendur” dhe nuk mund të përshkruhet ndryshe. Një futbollist i tillë është gjysmë i çmendur, por është një lojtar fitimtar që di të fitojë trofe dhe të japë spektakël”. Kështu e vlerëson një nga gazetat më të mëdha në Australi, “The Australian”, sulmuesin shqiptar të Melbërn Viktori, Besart Berisha, në prag të “Finales së Madhe” kundër Sidnej FC. Nuk mund të ketë finale të “Ligës A” pa pasur në fokusin e vëmendjes një njeri që ka polarizuar opinionin në katër sezonet që ai luan në Australi, qysh kur mbërriti nga Gjermania në vitin 2011.
“Dashurojeni atë apo urrejeni atë, por ju duhet të admironi talentin e Berishës si një golashënues dhe shpirtin e tij të jashtëzakonshëm luftarak dhe dëshirën për të fituar, çka bën ta shikosh shpesh atë të grindet me kundërshtarët zyrtarët dhe madje të shokëve të ekipit të tij”, – vijon më tej “Australian” në faqen e saj zyrtare në Internet. Gazeta australiane e cilëson Berishën si një nga sulmuesit më me influencë në historinë e “Ligës A”, dhe se ai do të jetë në qendër të vëmendjes në “Grand Final” (Finalen e Madhe), midis Melbërn Viktori dhe Sidnej FC.
“Berisha i zotëron raste të tilla, – thekson media në fjalë. – Vetëm hidhini një sy bilancit të tij. 29-vjeçari po luan finalen e tij të madhe të tretë në katër sezone, me tre gola të shënuar dhe kështu kupton se atij i pëlqen të jetë një fitues dhe të kontribuojë në ato suksese.” Besarti e ndihmoi ish-skuadrën e tij, “Brisbejn Roar” të fitonte dy tituj në tre sezone, duke shënuar gola në të dy finalet, ku arriti të marrë edhe një 11-metërsh për të cilin ai u akuzuar për simulim të pastër.
Ish-sulmuesi i Kombëtares e ka treguar veten si një fitues, dhe ishte kjo arsyeja se përse trajneri i Melburn Viktori ishte i përgatitur për të hedhur një shumë të madhe parash, për ta bërë të vetin atë. Besarti ka shënuar 14 gola këtë sezon me ekipin e tij të Melburnit dhe është padyshim sulmuesi kryesor i tij. Në fakt, në Australi, Besart Berisha konsiderohet “yll i finaleve”. Sulmuesi kosovar po shkëlqen në futbollin australian dhe ai do të kërkojë titullin e tretë në “Ligën A”, pasi i fitoi dy me “Brisban Roar”. Sipas mediave australiane, statistikat e sulmuesit shqiptar janë shumë pozitive.
Si zakonisht në këto sezonet e fundit, ai është përfshirë edhe në formacionin e viti në Australi. Berisha ka luajtur në dy finale të mëdha të Ligës australiane, duke i fituar të dyja dhe ka shënuar tre gola në finalet e mëdha. Golashënuesi shqiptar ka zhvilluar 27 ndeshje këtë sezon, duke realizuar 14 gola, me një mesatare prej një goli të shënuar çdo 169.8 minuta. Ai numëron 55 gjuajtje dhe 63.6% e tyre janë të sakta. Ai gjithashtu ka qenë një ndër lojtarët që ka ndihmuar shumë në golat e tjerë të skuadrës, me 34 raste të krijuara për shokët me pasime dhe topa për gol.