AlbanianSport.com 16.04.2015 12:55
ASNN – Besart Berisha ndëshkon ish-skuadrën e tij. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e dytë në fitoren 2-1 të “Melbërn Viktori” përballë “Brisbane Roar” në fushën e kësaj të fundit, duke rigjetur rrugën e rrjetës në kampionatin australian pas 4 ndeshjesh.
Ky ishte goli i 11-të për Besart Berishën në këtë sezon të ligën australiane. Një finalizim me shumë peshë pasi ndihmoi “Melbërn Viktori” të merrte një trepikësh, që e ngjiti në krye të klasifikimit në kuotën e 47 pikëve, 3 më tepër se ndjekësit, FC Sidnei dhe Përth Glori.
Ishte minuta e 22-të e sfidës kur Besart Berisha kontrolloi në mënyrë të përsosur një top të marrë nga tuniziani Ben Kalfallah dhe me një goditje të menjëhershme mposhti portierin e Brisbenit, Jang për t’i çuar shifrat e takimit në 0-2.
Në shenjë respekti ndaj skuadrës ku kaloi tre vite të suksesshme të karrierës së tij, 29-vjecari i lindur në Prishtinë nuk festoi në momentin e golit. Madje Berisha u kërkoi falje ish-tifozëve të tij prej të cilëve mori duartrokitje.