AlbanianSport.com 17.01.2016 15:25
ASNN – Futbollisti kosovar, Bernard Berisha, ka debutuar në një ndeshje miqësore me skuadrën e tij të re, Anzhin e Mahaçkallasë. Kalimi i Bernard Berishës në kampionatin rus të futbollit është konsideruar një ngritje në karrierën e mesfushorit teknik nga Kosova.
Kështu, futbollisti i përfaqësueses kosovare ka debutuar këtë fundjavë me fanellën e klubit të Anzhit Mahaçkallasë, në një miqësore të luajtur kundër Okzhetpes, që u fitua me rezultatin 3-0. Berisha luajti gjatë të gjithë takimit në një kompleks stërvitor, duke treguar veten me shpejtësinë dhe driblimet e tij, me të cilat ka spikatur edhe me fanelën e Skënderbeut në Kategorinë Superiore.
Futbollisti kosovar u largua nga “Ujqërit e Dëborës” gjatë merkatos së janarit, transferim ky që i ka kushtuar Anzhit të Mahaçkallasë rreth 600 mijë euro. Berisha ka nënshkruar një kontratë për 3 vite e gjysmë me fanelën e skuadrës nga Dagestani, që militon në kampionatin rus.