AlbanianSport.com 17/12/2018 23:05
ASNN – Dy portierët e Shqipërisë përplasen në Serinë A, Berisha fiton derbin me Strakoshën. Një ndeshje e veçantë për tifozët kuqezi u luajt të hënën në Serinë A italiane. Atalanta priti në Bergamo Lacion, në kuadër të javës së 16-të. Duke fituar me rezultatin 1-0, por mjaftueshëm për të marrë një 3-pikësh me mjaft vlera që e ngjit në vendin e 6-të, shumë pranë vendit të 4-t dhe të 5-të që mbahen përkatësisht nga Milani dhe Lacio.
Në këtë ndeshje u vunë përballë njëri-tjetrit dy portierët e Shqipërisë, Etrit Berisha i Atalantës dhe Thomas Strakosha i Lacios, por në fund fati i buzëqeshi portierit të Kombëtares që vjen nga Kosova, sepse Atalanta fitoi 1-0. Duvan Zapata dërgoi topin në rrjetë që në minutën e dytë, pasi një pasigurie të Radu i cili e la të vetëm para Strakoshës dhe ku portieri i përfaqësueses tonë nuk kishte asnjë shans të reagonte dhe të evitonte golin.
Më pas Atalanta nisi të mendojë për mbrojtjen, pasi epërsia e golit i siguronte qetësinë e nevojshme. Në fushë u aktivizua më pas edhe mbrojtësi tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti. Lacio insistoi deri në fund dhe e gjeti golin me një gjuajtje të Açerbit, pikërisht në minutën e fundit, por përdorimi i teknologjisë së Ndihmës Gjyqtarit të Videos (VAR) bëri që goli të anulohet, sepse lojtari i Lacios ishte në pozicion jashtëloje. Për pasojë fitoi Atalanta 1-0.
Dhe me këtë 3-pikësh shkon në vend të 6-të me 24 pikë, një pikë më pak se Lacio e vendit të 5-të dhe dy pikë më pak se Milani i vendit të 4-t por që ka një ndeshje për të luajtur.